Lajme

Si të ndërtojmë raportin me fëmijët?

Baza e punës me fëmijët është që ata të jenë të motivuar në çdo hap, në mënyrë që të ndjekin me sukses kërkesat që ju i jepni atyre. Shumë shpesh ndodh që prindërit të kërkojnë diçka nga fëmijët e tyre, pastaj edhe diçka tjetër, pastaj edhe diçka tjetër… e gjithë kjo brenda kohës së njëjtë. Grumbulli i madh i kërkesave, qofshin ato edhe për të luajtur apo argëtuar me fëmijën shkakton ndjenja konfuzioni dhe parehatie tek ata- specifikisht kur bëhet fjalë për fëmijët nga mosha 2 deri në 5 vjeç. Prandaj që të kemi përgjigje sa më të mira prej tyre rekomandohet që kërkesat që u drejtohen fëmijëve t’ju drejtohen me radhë. Mirëpo në këtë proces ka shumë rëndësi që fëmija ta kuptojë që para se të marrë një lodër apo ushqim që dëshiron ai ka për të bërë diçka. Themeli i krijimit të raportit të këndshëm për bashkëpunim është që të keni sa më shumë argëtim me fëmijën, dhe t’i kuptoni dëshirat e tij.  Kjo është edhe arsyeja për të që ai të kthehet te ju, si dhe të preferojë të rri me juve edhe pas udhëzimeve.

Së dyti ne duhet t’ia bëjmë me dije që ne e dimë se çfarë pëlqen ai, dhe se ne jemi të gatshëm për t’i dhënë atij në momentin që ai sillet mirë. Në këtë moment ai ka nevojë për të vepruar në mënyrë të përshtatshme për shkak që atë e presin shpërblimet e ardhshme.

Ne nuk duam që t’i marrim të gjitha aktivitetet shpërblyese për të, edhe nëse ato duken pakuptim për ne. Këto gjëra që janë shumë shpërblyese ne mund t’i përdorim për të mësuar, për t’i treguar mundësitë e tij, për ta kushtëzuar që të thotë fjalë për ato aktivitete, mund t’i përdorim në mënyrën se si të luajë në mënyrë të përshtatshme, si dhe për t’i treguar pasojat e tij (bllokimi i shpërblimeve) kur sjelljet bëhen të dëmshme.

Gjithashtu duhet t’i tregoni atij që në momentin kur ai ka refuzuar të përgjigjet apo ndjekur udhëzimin tuaj, ai nuk ka as shpërblime, as argëtime e as lavdërime.

Rëndësi tepër të veçantë në bashkëpunim me fëmijët ka krijimi i besimit. Në asnjë moment nuk duhet që ju t‘i premtoni diçka në qoftë se nuk mund ta arrini, pra kur thoni diçka duhet ta realizoni. Ndryshe ai nuk do t’ju besojë në të ardhmen dhe nuk do t’ju marrë seriozisht instruksionet. P.sh. Nëse i thoni babai është te dera, atëherë duhet të jeni sigurt që babi është menjëherë aty afër.

Në mënyrë konkrete mund të provoni në këto mënyra, p.sh. Instruksioni: “Ama lodrën, dhe do ta kthej përsëri”, nëse fëmija nuk ju jep pasi ju i thoni dy herë, atëherë e merrni ju nga dora e tij (edhe nëse qanë), por jo t’ia rrëmbeni fuqishëm dhe me vrull, sepse ai mund ta mësojë nga ju dhe ta mësojë atë sjellje duke e adaptuar në shprehi të veten dhe në këtë mënyrë t’i mbrojë gjërat në të ardhmen. Pastaj menjëherë  ja ktheni lodrën para se të qajë, dhe e lavdëroni duke i thëne “bravo merre lodrën”. Vazhdimisht e bëni këtë në mënyrë që ai ta kuptojë që gjërat të cilat i merren do t’i kthehen.

Specz.Fatime Sahiti Bekteshi

Psikologe Klinike

 

 

Të ngjashme