Lajme

LDK kritikon ekzekutivin për menaxhimin e pandemisë

Për menaxhim jo të mirë të pandemisë u kritikua sot Qeveria Kurti nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një konferencë për media, ky subjekt politik hodhi kritika për ekzekutivin e vendit duke theksuar përqindjen e ulët të vaksinimit në Kosovë.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e LDK-së, tha se Qeveria po e keq menaxhon situatën me pandeminë.

Ajo tha se pavarësisht situatës dhe rritjes së rasteve me koronavirus deri tani janë vaksinuar vetëm 10 për qind e popullatës.

“Të dhënat janë tejet të ulëta në vaksinim në krahasim me vendet e rajonit”, tha ajo.

Sipas saj, tashmë edhe masat e ndërmarra antiCOVID janë të vonuara dhe shprehu habinë se si mund të ketë kufizime për të pavaksinuarit kur nuk ka terminë për vaksinim.

Ndërkaq, infektologu Izet Sadiku nga LDK tha se situata epidemiologjike është përkeqësuar dhe kjo tregon se menaxhimi i pandemisë ka dështuar.

Ai tha po ashtu se Kosova është në grupin e shteteve me përqindjen më të ulët të të vaksinuarve në Evropë.

Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë trend gjasat janë që deri në fund të vitit të vaksinohen deri në 30 për qind të popullatës, e jo 60 për qind siç ka thënë Qeveria.

Ai tha se varianti Delta përhapet me shpejtësi të madhe dhe sipas tij, gabimi i Qeverisë ka qenë se që disa vendi ka funksionuar sikur të mos kishte pandemi.

“Nuk është zgjidhje vetëm sigurimi i vaksinave ky është njëri prej gabimeve që ka bërë Qeveria Kurti, se i ka bind qytetarët se u kry pandemia… kemi siguru vaksina boll, s’ka raste më, shkoni në dasma, në lokale. Tash është vështirë që një popullatë që dy muaj është sjell krejt e lirë përnjëherë me mbajt maskën, distancën, prandaj këtu duhet përkushtim shumë më i madh se sigurimi i vaksinave.

Sigurimi i vaksinave sot në treg nuk është shumë i vështirë, vetëm a i ke mjetet dhe i blen…. por problemi është menaxhimi i tyre dhe bindja e qytetarëve për t’i vaksinuar…”, tha Sadiku.

Sipas tij, me shifrat e fundit të të infektuarve me coronavirus situata po del jashtë kontrollit.

Të ngjashme